Në vijim të një turi takimesh në të gjithë bashkitë Qarku Shkodër në kuadër të menaxhimit të sezonit turistik, Prefektja e Qarkut Shkodër, zj.Majlinda Angoni, zhvilloi mbledhjen për monitorimin ndërinstitucional të mbarëvajtjes së sezonit turistik në Bashkinë Malësi e Madhe.
Me praninë e kreut të Bashkisë z.Tonin Marinaj dhe drejtuesve të tjerë të pushtetit qendror e lokal u diskutua mbi masat organizative të marra për menaxhimin e sezonit turistik.
Gjatë takimit u prezantua raporti i gjetjeve të monitorimit Prefektura Shkodër dhe u trajtuan problematika që lidhen me mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke u ndalur në fusha prioritare si ndërhyrjet e institucioneve ligjzbatuese për parandalimin e ndërtimeve pa leje, prerjen e lendës drusore në mënyrë të kundraligjshme dhe angazhimin e shtuar të strukturave policore për monitorimin e territorit.
Në fjalën e saj, Prefektja Angoni kërkoi zbatim rigoroz të ligjit për të garantuar sigurinë në sezonin turistik, dhe vëmendje të shtuar ndaj ndotjes së mjedisit, duke i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj subjekteve që nuk respektojnë ligjin dhe cënojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik.